Formimi Artistik Figurativ 1970 – 1990

Fillet e formimit artistik figurativ dhe aplikativ datojnë që nga viti 1949, kur formohet Shkolla e Mesme e artit në Pejë, ndërsa në vitin 1962 themelohet Shkolla e Lartë Pedagogjike (me artin figurativ) në Prishtinë.

Më 1972/74 shndërrohet në Akademi të Arteve me disa drejtime si: pikturë, skulpturë, grafikë dhe dizajn grafik. Rol të rëndësishëm në zhvillimin e jetës artistike kanë pasur edhe formimi i Shoqatave figurative dhe aplikative, qofshin ato në nivel të përgjithshëm nacional apo me karakter lokal nëpër disa qytete të Kosovës.

Me ndihmën e këtyre shoqatave bëhej edhe organizimi i kolonive artistike për çdo vjet, si takime pushimi, diskutimi dhe pune në Deçan, Brezovicë, Grozhnjan (Kroaci) dhe Batllavë.

Në këto koloni merrnin pjesë artistë nga Kosova, artistë nga ish-Jugosllavia si dhe ata nga bota e jashtme.

Në këto aktivitete merrte pjesë edhe Lidhja e Shkrimtarëve të Kosovës.

Masovizimin e artit figurativ e ka mundësuar edhe hapja e ekspozitave nëpër disa hapësira të lira si Foajeu i Teatrit në Prishtinë, Muzeu i Kosovës, Galeria e Pallatit të Rinisë në Prishtinë dhe në Pallatet e Kulturës në Prizren, Gjakovë, Pejë, Mitrovicë etj.

Këto hapësira ishin improvizuese dhe pa kuadër profesional, por e bënin punën e nevojshme.

Me rritjen e numrit të artistëve të shkolluar, u rritën edhe kërkesat e tyre për prezantimin e veprave artistike para auditorit, u ndie nevoja e domosdoshme për një institucion të mirëfilltë.

Kështu që në vitin 1979 nga Kuvendi i Kosovës u themelua Galeria e Arteve e Kosovës në Prishtinë.

Kjo Galeri e rëndësisë së veçantë, u inicua nga shumë artistë figurativ dhe aplikativ, ndër ta duhet përmendur artistin Shyqri Nimani, i cili e drejtoi atë me shumë sukses për dy mandate.

Në këtë institucion janë prezantuar qindra ekspozita individuale, kolektive me karakter kombëtar dhe ndërkombëtar.

Duke e pasur këtë mundësi artistët tanë, veprat e tyre i ekspozonin jo vetëm në Kosovë por edhe në qendra të ndryshme të ish-Jugosllavisë si dhe në botën e jashtme.

Gjatë kësaj periudhe u zhvillua edhe mendimi kritik për artet e bukura.

Disa krijues e kultivuan edhe kritikën e artit, dhe bënin vlerësimin estetik në shtypin e kohës.

Gazeta ditore “Rilindja” ishte një “rrëfim” i gjallë për ngjarjet kulturore, madje revista “Fjala” në çdo numër të saj shkruante për artistë, ese, vështrime, recensione dhe botonte reprodukime nga krijuesit e artit.

Veçohen vështrimet kritike të Shyqri Nimanit, Nebih Muriqit, Bislim Aliut, Mustafa Ferizit, Hivzi Muharremit, Rexhep Goçit, Fejaz Dronçollit dhe Vesta Nurës.

Krijuesit më aktivë ose me “privilegje” gjatë kësaj periudhe janë përfshirë në monografinë “Arti bashkëkohor i Kosovës”, botuar nga Galeria e Arteve, Prishtinë, më 1988.

Në këtë botim janë përzgjedhur 70 krijues nga fusha e pikturës, skulpturës, grafikës dhe arteve aplikative.

Autorët e këtij botimi ishin: Vlado Buzhançiqi, Shyqri Nimani, Rexhep Goçi dhe Mustafa Ferizi, ndërsa shënimet biografike i hartoi Blerim Luzha.

Tekstet e tyre autoriale i ndriçojnë vlerat artistike individuale dhe kolektive në bazë të shprehjeve figurative, të bazuara në baraspeshën estetike.

Kështu, Shyqri Nimani shprehet: “Natyrisht, grafikët e Kosovës, duke mësuar nga përvojat e paraardhësve historikë, të çliruara nga kanonet e rrepta, marrin atë që u përgjigjen sipas afiniteteve të tyre dhe e superstrukturojnë shprehjen e vetë bashkëkohore grafike”.

Shkroi: Rexhep Goçi